Zyrtare:Gjuha Shqipe zyrtare në Maqedoni

Me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë votoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të tretë, pa debat, raporton Anadolu Agency (AA).

Votimit i parapriu një situatë e tensionuar në Kuvend, pasi paraprakisht kryeparlamentari Xhaferi nuk lejoi debat mbi 35 mijë amendamentet e parashtruara nga opozita VMRO-DPMNE, me ç’rast ish kryetari i partisë Nikolla Gruevski dhe bashkëpartiakët e tij u afruan tek kryetari i Kuvendit duke kërkuar fjalim procedural.

Pas një pause të shkurtë prej 15 minutash, deputetët u rikthyen në sallë dhe votuan ligjin në fjalë.

Paralelisht me seancën parlamentare, jashtë godinës dhjetra qytetarë u tubuan për të shprehur revoltën për Ligjin për gjuhët, ndërkohë që Kuvendi është i rrethuar nga një numër i konsiderueshëm i forcave policore.

Shqipëria dhe Kosova përshëndesin Ligjin e gjuhëve në Maqedoni

Kujtojmë se Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua sërish në Kuvend, pasi që ai nuk u dekretua nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me arsyen se është antikushtetues. Pas kësaj, deputetët e VMRO-DPMNE-së, dorëzuan në Kuvend 35.569 amendamente, me të cilat duan ta dëshmojnë se i njëjti ligj është jo-kushtetues dhe të tërhiqet.

Me ligjin për përdorimin e gjuhëve, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Drejtësisë, parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të Maqedonisë, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *