Dexhalli dhe përshkrimi i tij

En-Nevas ibën Sem’an (radiallahu anhu) thotë: Një ditë paradite, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) përmendi Dexhalin dhe gjatë fjalës, ai e ngrinte zërin dhe e ulte atë, sa që menduam se ai ishte pas pyllit të palmave.

Kur shkuan tek ai mbasdite, ai e vëreu që ishim të frikësuar dhe na tha: “Çfarë keni?” Ne i thamë: “Përmende Dexhalin sot paradite dhe herë e ngrije zërin e herë e ulje, sa që0 menduam se ai është pas pyllit të palmave!” Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Diçka tjetër përveç Dexhalit ia kam frikën për ju, sepse nëse ai del sa jam unë në mesin tuaj, unë do përballem me të dhe jo ju, por nëse ai del kur unë të mos jem më, atëherë çdokush të ruhet vetë, e Allahu është Trashëguesi im për çdo musliman; Dexhali është një burrë i ri me flokë kaçurrela dhe njëri sy i tij pluskon. Unë mund ta krahasoj atë me AbdulUza ibën Kutn.

Kush e ndesh atë prej jush, të lexojë ajetet e para të sures El Kehf.

Ai do të dalë në një rrugë mes Levantit (Sirisë) dhe Irakut, dhe do të bëjë shkatërrime të mëdha djathtas e majtas.

O robër të Allahut! Bëhuni të qëndrueshëm në fenë tuaj!” Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Sa do të qëndrojë ai në Tokë?” Ai tha: “Dyzet ditë; një ditë sa një vit, një ditë sa një muaj dhe një ditë sa një javë, kurse ditët e tjera njësoj si ditët tuaja.” I thamë: “O i Dërguari i Allahut! Atë ditë që do të jetë sa një vit, a do të na mjaftojë namazi i një dite?” Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Jo! Por përcaktojeni vetë aq sa i takon.” I thamë: “O i Dërguari i Allahut! Me çfarë shpejtësie do të lëvizë ai në Tokë?” Ai tha: “Si shiu i ndjekur nga furtuna.

Në çdo vend që shkon, do i ftojë njerëzit që ta besojnë atë dhe ata do i besojnë dhe do i përgjigjen; ai do të urdhërojë qiellin të zbresë shi dhe do të bierë shi, toka do të mbijë bimët, bagëtitë e tyre do të kthehen në mbrëmje nga kullota me gunga më të larta, me gji më të mbushura, me ije më të fryra (nga ngopja); pastaj do të shkojë te një popull dhe do i ftojë që t’i besojnë atij, por ata do ia kthejnë fjalën; atëherë ai do të largohet prej tyre, dhe në mëngjes ata do të gdhihen të skamur, nuk do të zotërojnë asgjë.

Pastaj, ai do të kalojë pranë një rrënoje dhe do i thotë:

“Nxirri thesaret e tua!” Dhe thesaret e saj do dalin dhe do e ndjekin atë sikur të ishin bletë që mblidhen rreth bletës mashkull. Pastaj do thërrasë një djalë të ri në moshë, do e godasë me shpatë dhe do e ndajë në dy pjesë mes të cilave kalon shpata, pastaj do e thërrasë dhe ai do ecë, do të thotë “La ilahe il-la Allah” dhe do të qeshë.

Ndërkaq, Allahu do të dërgojë Mesihun, birin e Merjemes (alejhi selam), i cili do të zbresë te Minarja e Bardhë në lindje të Damaskut, i veshur me dy rrobe të ngjyrosura me shafran, me duart të vendosura mbi krahët e dy engjëjve; kur tund kokën, ajo i kullon (ujë) dhe kur e ngre atë, prej saj zbresin kokrra uji si perla.

Çdo mohues (jomusliman) që e ndjen aromën e frymës së tij, vdes në vend; e fryma e tij arrin atje ku i arrin shikimi. Ai do të ndjekë Dexhalin deri sa ta arrijë te porta e “Luddit” (fshat mes Palestinës dhe Jordanisë) dhe do e vrasë atë. Pastaj, Isa ibën Merjem do të shkojë te një grup njerëzish të cilët Allahu i ruajti nga Dexhali, do iu fshijë fytyrat dhe do iu tregojë gradat e tyre në Xhenet.
Ndërkaq, Allahu do i shpallë Isait, birit të Merjemes: “Unë kam nxjerrë disa robër të Mi, të cilëve nuk mund t’i dalë askush para që t’i luftojë, prandaj ruaji robët e Mi prej tyre te mali i Turit. Atëherë Allahu dërgon Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, të cilët dalin nga çdo kodër; të parët e tyre do të kalojnë te liqeni i Tabarijas (Deti i Galileut në Palestinë) dhe do të pijnë prej tij, pastaj kalojnë të fundit dhe thonë: “Dikur këtu ka pasur ujë!”

Profeti i Allahut, Isai dhe shokët e tij do të rrethohen prej tyre, sa që koka e viçit do të jetë më e mirë për ta se 100 dinar ari (nga uria dhe gjendja e vështirë), atëherë Profeti i Allahut, Isai dhe shokët e tij do i drejtohen Allahut, dhe Allahu do të dërgojë krimba në qafat e tyre e ata do të vdesin të gjithë njëherësh sikur të ishin një trup i vetëm.

Pastaj Allahu do e zbresi profetin e Tij, Isën dhe shokët e tij në tokë (zbresin nga mali i Turit), por ata nuk do të gjejnë asnjë pëllëmb vend pa u mbushur me kufomat dhe kërmat e tyre, kështu që profeti i Allahut Isai dhe shokët e tij i drejtohen Allahut (me lutje), pastaj Allahu dërgon një shi që nuk e ndalon asnjë shtëpi prej guri apo balte (hyn në çdo vend) dhe e lan Tokën duke e lënë atë si pasqyrë që shkëlqen.

Pastaj do i thuhet Tokës: “Mbij frytet e tua dhe ktheje bereqetin tënd. Atë ditë një grup njerëzisht do të mjaftohen me një kokërr shege dhe do të bëjnë hije me lëkurat e saj. Do i jepet bereqet qumështit, sa që kulloshtra e një deveje që sapo ka lindur, i mjafton një grupi të madh njerëzisht, kurse kulloshtra e lopës do i mjaftojë një fisi dhe ajo e deles do i mjaftojë një familje.

Ndërkaq, Allahu dërgon një aroma të mirë, e cila i prek ata poshtë sqetullave të tyre dhe i merr shpirtin çdo besimtari dhe muslimani. Atëherë do të mbesin në Tokë njerëzit më të këqinj të cilët kryejnë marrëdhënie seksuale në publik ashtu si bëjnë gomarët; mbi ta do të bëhet Kiameti.” [Transmeton Muslimi].

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *