Thaçi foli për ushtrinë por..>>

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në parakalimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, deklaroi se momenti i zyrtarizimit të ushtrisë së Kosovës është duke trokitur në derën e hapur dhe se NATO dhe partnerët strategjik të këtij vendi mbështesin plotësisht këtë proces, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi duke kujtuar se herën e fundit kur Kosova pati një parakalim të këtillë para katër viteve, theksoi se në atë kohë politikisht Kosova nuk ishte në gjende që t’i përcjellin hapat e Forcave të Armatosura të Kosovës, por siç tha ai, sot Kosova është ndryshe.

“Momenti i shumëpritur i zyrtarizimit të ushtrisë sonë është duke trokitur në derën e hapur. Partnerët tanë strategjik dhe NATO e përkrahin plotësisht këtë proces të ushtrisë së Kosovë, sepse ajo do të jetë vetëm një vlerë e shtuar në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë”, deklaroi presidenti Thaçi, duke shtuar se si presidenti i vendit është i vendosur që shtetin e tij ta bëjë me ushtri sa më shpejtë të jetë e mundur.

Në parakalimin e Forcave të Armatosura dhe Policisë së Kosovës, ndër qytetarët e shumtë dhe mysafirët ndërkombëtare, të rajonit dhe vendit, të cilët ndoqën parakalimin e tyre, të pranishëm ishin edhe kryeministri dhe kryeparlamentari i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Edi Rama, kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi, kongresmeni amerikan që ka kontribuar për pavarësinë e Kosovës, Eliot Engel, ish-ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutoğlu, ish-ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner, si dhe të tjerë.

– Veseli: Kemi ndërtuar një shtet demokratik

Më herët, në Kuvendin e Kosovës u mbajt një seancë solemne në të cilën të pranishëm ndër deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin edhe mysafirët që ndoqën parakalimin në sheshin “Nënë Tereza”.

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, në seancën e Kuvendit tha se të arriturat e Kosovës në këto dhjetë vite janë shumë të mëdha.

“Kemi ndërtuar një shtet demokratik, funksional, efektiv. Kosova sot është shtëpi e sigurt për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve që ata kanë. Ekonomia jonë është në rritje, kemi stabilitet dhe vetëqëndrueshmëri financiare e makroekonomike. Jemi nga të paktën vende që me investime vetanake kemi investuar infrastrukturën rrugore, shkollore dhe shëndetësore”, deklaroi Veseli

Veseli poashtu theksoi se Kosova ka ndërtuar raporte të mira me fqinjët, si me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, me të cilat po përmbyllin çdo çështje të hapur. Ai shtoi se po punojnë në frymën e bashkëpunimit që të ndërtojnë edhe raporte të mira me fqinjin verior, Serbinë.

– Rama: Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para mysafirëve dhe deputetëve tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy realitete formalisht të ndara administrative, por që jetojnë në një ndërveprim të natyrshëm ekonomik dhe në një bashkëveprim politik dhe institucional të vazhdueshëm në funksion të përafrimit të pandalshëm të programit kombëtarë të së ardhmes

“Dialogu i vështirë me Serbinë do të jetë edhe ai historik dhe shqiptarët dhe serbët do të në bashkëjetojnë në funksion të së ardhme si dy popuj me fqinjësi të mirë dhe pjesë e pandarë e Bashkimit Evropian. Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo vetëm ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo një president simbol i autoritetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Poashtu edhe kongresmeni amerikan, Eliot Angel, u adresua në Kuvendin e Kosovës, ku uroi 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe u shpreh se, “Është koha e reflektimit, koha e ndryshimit dhe është koha për të shikuar të ardhmen”.

Parakalimi i Forcave të Armatosura dhe Policisë së Kosovës, si dhe seanca e Kuvendit të Kosovës, u organizuan me rastin e aktiviteteve dhjetëditore për shënimin e 10vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Festimet e 10 vjetorit do të mbyllen me pritjen solemne të mysafirëve ndërkombëtarë, të rajonit dhe të vendit, të cilët kontribuan për pavarësinë e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *