PSE FRIKËSOHESH NGA MBULESA? shpërndaje

Mbulesa e gruas muslimane nga shumica e njerëzve konsiderohet si një nga dilemat e mëdha të kësaj kohe dhe njerëzit janë ndarë në dy mendime: njëri grup janë armiq dhe kundërshtarë të mbulesës dhe e shohin atë si pengesë për gruan në rrugën e saj drejt përparimit dhe modernizimit, pengesë për lirinë dhe njerëzinë e saj, kurse grupi i dytë e konsideron mbulesën ashtu siç e konsideron feja, për të cilën nuk ka vend për refuzim e as mendim tjetër.

Grupi i parë mendon se mbulesa ka qenë për një kohë të caktuar dhe nuk ka më vend me përfundimin e kohës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe shokëve të tij e pasuesve të tyre pas tij, duke i bashkangjitur kësaj pretendimin se mbulesa nuk ka qenë obligim për të gjitha gratë muslimane, por për gratë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Ata pretendojnë se mosveshja e mbulesës nuk është prej mëkateve të mëdha që të shtyn në zjarr, mirëpo është nga mëkatet e vogla që Allahu i fal.

Ndërsa grupi i dytë ndahet në dy mendime: grupi i parë e ka kuptuar atë me të cilën ka ardhur Islami dhe e ka bërë obligim mbulesën duke u pajtuar me fjalën e Allahut: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” (El Ahzab: 36)

Grupi i dytë, i cili janë qëllimi i këtij shkrimi, janë të luhatshëm në përmbajtje ndaj urdhrave të Allahut dhe të paaftë në praktikimin e ligjeve të Tij. Arsyet për këtë qëndrim të tyre janë të ndryshme, prej të cilave përmendim:

Besimi i dobët në Allahun, ngase besimi nuk është vetëm me zemër, por edhe vepra me gjymtyrë, shprehje me gjuhë dhe punë me shtyllat e tij. Gruaja që thotë “pse është obligim mbulesa? Allahu pasi më udhëzoi, më udhëzon prapë”, është injorante për kuptimin e besimit dhe të udhëzimit ngase udhëzimi vjen vetëm pas marrjes së shkaqeve duke pasuar rrugën e vërtetë, të cilën Allahu ia ka treguar robit të Tij në Kur’anin Fisnik dhe në Sunnetin e të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Atëherë këtu ndodh ndryshimi dhe vjen udhëzimi nga Allahu az-ze ve xhel-le thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (Err-Rrad: 11)
Shembull për këtë obligim është rasti i përmendur në librat e hadithit nga Aishja radijAllahu anha, se ajo ka thënë: “Allahu i mëshiroftë gratë e muhaxhirëve, të cilat sapo zbriti fjala e Allahut: “Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës)”, shqyen fustanet dhe mbuluan kokat me to.” (Buhariu). Ato nuk janë ngadalësuar, por u janë përmbajtur urdhrave të Allahut, besimtare për obligueshmërinë e mbulesës dhe duke shpresuar shpërblimin për të.

Injoranca rreth ligjeve të fesë islame. Mbulesa është obliguar për muslimanet me fjalën e Allahut: “Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës).” (En-Nur: 31)
Në këtë ajet kërkohet mbulimi i kokës dhe me mbulesën e kokës edhe kraharori e tutje, për shembull me ndonjë rrobë të gjatë etj. Ky ajet është i qartë në obligueshmërinë e mbulesës për motrën besimtare, mirëpo mjedisi që e rrethon atë ka ndikim shumë të madh në injorancën e saj për ligjet e fesë. Gjithashtu dallon mjedisi mes shtëpisë dhe shkollës, edhe epshi ndikon në largimin e gruas nga dituria dhe e nxit atë për përzierjen me gjininë e kundërt, për zbukurim, zhveshje dhe veprime që i ndalon feja dhe janë pengesë për të në rrugën e saj për mbajtjen e mbulesës.
Përzierja e kuptimit të mbulesës me logjikën e mbyllur, e cila rrjedh nga traditat dhe kuptimet e gabueshme që shumë herë ndikojnë në besimin e drejtë. Kjo shpie deri te rënia në gjëra të rrezikshme. Nga këto bindje të gabuara përmendim:
a) Mbulesa duhet të mbahet nga të vjetrat dhe pasi gruaja të arrijë një moshë të caktuar, pasi t’i martojë fëmijët e saj dhe atëherë duhet të kujdeset për veten e saj, të bëjë haxh, të mbulohet, t’ia kushtojë kohën adhurimit të Zotit… A thua se ajo ka dituri paraprake për përfundimin e jetës së saj, sikur ajo të ketë bindjen se në atë kohë mund të bëjë adhurimin të cilin nuk e ka provuar më herët apo atë që nuk e ka bërë më parë? E vërtetë është thënia “ashtu si jeton në rini, ashtu do jetosh edhe në pleqëri”.
b) Mbulesa është shkak i mungesës së lumturisë së vajzës në rrugën e martesës dhe se dhëndri pëlqen më shumë vajzën e pambuluar edhe nëse ai është fetar, ngase ai shpreson të bëhet shkak për mbulimin e saj pas martesës dhe kështu të marrë shpërblim! Kjo çështje, edhe nëse arrihet qëllimi në disa raste, nuk mund të konsiderohet rregull e përgjithshme.
Gruaja që dëshiron të martohet duhet ta dijë që ‘zogjtë ndalen tek llojet e tyre’ dhe se mospërkushtimi ndaj fesë do ta ekspozojë ndaj atyre burrave që nuk dallohen për gradën e lartë të besimit, cilësi me të cilën ai duhet të dallohet si zbatim i fjalës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Nëse ju kërkon për martesë një njeri që jeni të kënaqur me fenë dhe moralin e tij atëherë martojeni, e nëse nuk e bëni do të ketë sprovë në tokë dhe çrregullim të gjerë.” (Tirmidhiu)

c) Mbulesa është pengesë për punësimin e gruas pasi ta përfundojë shkollimin ngase shumë firma refuzojnë ta punësojnë me mbulesë. E nëse ndodh që ndonjë punonjëse të mbulohet, përfundimi i saj ndoshta do të jetë dëbimi nga puna. Kjo çështje mund të ndodhë në disa firma ose tek disa persona të cilët kërkojnë që punëtorja e tyre të duket mirë dhe të jetë provokative, por muslimania që dëshiron të mbajë mbulesën duhet ta dijë se mbulesa nuk është pengesë për kërkimin e pasurisë, sepse ka shumë vajza të pambuluara që nuk mund të gjejnë punë. Vonimi i gjetjes së një pune është nga caktimi i Allahut dhe sprovimi i Tij az-ze ve xhel-le për ta vërtetuar bindjen e gruas muslimane, prandaj patjetër duhet të jetë e punësuar te një person i përshtatshëm dhe në një vend të përshtatshëm, ngase personi i cili zgjedh motrën e mbuluar që të punojë tek ai, në realitet kërkon efikasitet dhe gjithashtu e pranon rrugën që ajo ka zgjedhur për jetën e saj.
d) Planifikimi për veshjen e mbulesës bie ndesh disa herë me rreziqe dhe frikësime të ndryshme. Disa motra frikësohen të ballafaqohen me familjet e tyre për këtë dëshirë ngase e dinë kundërshtimin e familjes për këtë hap, ose frikësohen të ballafaqohen me rrethin e tyre të jashtëm që përqesh mbulesën dhe e konsideron jomoderne dhe argument për prapambetje. Por ne i themi kësaj gruaje kujto oj motër muslimane fjalën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Nuk ka respekt ndaj krijesës duke i bërë mëkat Krijuesit.” (Tirmidhiu). Kujto se mosvënia e mbulesës nën këtë argument nuk e largohen prej teje mëkatin. Allahu az-ze ve xhel-le thotë: “Çdo njeri është peng i veprave të veta” (El-Mudeththir: 38). Shpejto në praktikimin e urdhrave të Allahut dhe forcoje mbështetjen tek Ai, i Cili thotë: “Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu.” (Alu Imran: 159). Dhe ka thënë :”Kush i mbështetet Allahut, Ai do i mjaftojë atij.” (Et-Talak: 3). Ai gjithsesi do të të ndihmojë në çështjen tënde ngase zemrat e njerëzve janë në dorën e Allahut dhe Ai është i fuqishëm ta ndryshojë refuzimin në pranim dhe mëkatin në respekt dhe nënshtrim.
E sa u përket përqeshësve që të rrethojnë, kujto fjalën e Allahut për ta: “Ata që nuk besojnë janë të joshur nga jeta e kësaj bote, prandaj tallen me besimtarët. Por njerëzit që i frikësohen Allahut do të jenë mbi ata në Ditën e Kiametit”. (El-Bekare: 212)

e) Mbulesa e fsheh hijeshinë për të cilën kujdesen aq shumë gratë dhe ato e konsiderojnë mbulesën si shkak për fshehjen e bukurisë së tyre, se kështu duken më të vjetra në moshë. Këtyre u themi siç ka thënë Allahu: “Thuaj: “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë.” (El-Xhumu’ah: 8)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *