Aktivisti suedez rrugëtim 5.000 kilometra në këmbë për Palestinën

Një aktivist 25 vjeçar nga Suedia është nisur në një udhëtim të pabesueshëm në këmbë nga Suedia deri në Palestinë, për të rritur vetëdijen për shkeljet e të drejtave të njeriut në territorin e pushtuar.

Udhëtimin e tij më një karrocë, valixhe dhe një flamur të Palestinës e filloi në gusht të vitit 2017, ndërsa ekipi i Anadolu Agency (AA), e takoi në Beograd, ku kishte mbërritur në këmbë nga Suedia përmes Gjermanisë, Çekisë, Sllovakisë, Austrisë, Sllovenisë dhe Kroacisë.

Benjamin Ladraa thotë se është prekur shumë nga vizita e tij tre javore në Palestinë prillin e kaluar, ku ka vendosur që t’i tregojë botës për situatën në Palestinë.

“Isha i shokuar nga ajo që pashë atje, nga muret dhe ushtarët në rrugë me automatikët e tyre M-60 në krah. Dëgjova edhe rrëfimet për rreth 300 fëmijë që mbahen në burgjet izraelite”, tha për AA Laandra.

Ladraa, një djalosh me prindër hebre, thotë se pas kthimit në vendlindje kishte vendosur të bëjë diçka më shumë për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut në Palestinë.

Suedezi kishte vendosur të braktis studimet dhe punën, dhe më pas më 8 gusht të vitit të kaluar, ai filloi rrugëtimin e tij të gjatë 5.000 kilometra nga Geteborgu deri në Palestinë.

Për gjatë gjithë kohës Ladraa është në lëvizje, mban flamurin palestinez në shpinë, ndërkohë që mbi supet e tij ka vendosur shallin “keffiyeh”, simbol i pavarësisë së Palestinës.

Secila ditë sjell përvojë të re, rrëfen ai, për të shtuar se netët i kalon në tendën e tij, dhe ndonjë natë tjetër në hostel.

Për sa i përket ushqimit, në të shumtën e rasteve konsumon ushqim të konservuar, por ndodh që të njëjtin ta ndajë me personat të cilët i takon gjatë udhëtimit të tij maratonik.

Udhëtimin në fjalë, Ladraa e shfrytëzon edhe për kauzën e tij, meqë shpeshherë u rrëfen njerëzve që takon, për atë çfarë ka parë gjatë qëndrimit në Palestinë. “Me përjashtim të incidenteve të izoluara, pjesa më e madhe e njerëzve e mirëpresin”, thonë ai.

Ladraa veçon ndalimin që ja bënë rojet e ambasadës së Izraelit në Pragë, në të cilën kishte hasur rastësisht duke ndjekur udhëzimet e Google map.

Thotë se ishte liruar, pasi një ekip për kontroll eksplozivësh ishte siguruar se nuk paraqet ndonjë rrezik, megjithatë druan se pas kontrollit që ja bën pasaportës së tij, do t’i ndalohet hyrja në Palestinë.

“Plani është që të vazhdoj përmes Bullgarisë, Turqisë, Sirisë dhe Libanit, pastaj sërish në Siri dhe Jordani, dhe nëse nuk do të mund të futem në Palestinë, do t’i informoj mediat”, tha Laandra.

Udhëtimi i 25 vjeçarit suedez është i pasqyruar përmes fotografive të cilat i publikon në llogarinë e tij në Facebook dhe Instagram #walktopalestine.

Ladraa, i cili ka punuar edhe për Kryqin e Kuq, thotë se për udhëtimin në fjalë ka kursyer për rreth një vit, ndërkohë që kishte shitur edhe shumë gjësende personale.

Nëse gjithçka shkon në rregull, udhëtimi i tij pritet të përfundojë në qershor, ose korrik. “Mendoj se secili prej nesh mundet, dhe duhet të bëj diçka për njerëzit e tjerë, qoftë edhe ndonjë gjë të vogël, tha Ladraa, i cili sot ka lënë Beogradin në drejtim të destinacionit përfundimtar, Palestina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *