NATO inatos keq Rusinë

Pretendohet se NATO planifikon të krijojë dy qendra të reja komanduese në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të transferojë në mënyrë më të shpejtë njësitë dhe furnizimet ushtarake, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e Agjencisë Gjermane të Lajmeve (DPA), theksohet se vendet anëtare të NATO-s mirëpresin propozimin e ministres gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen dhe se planet në fjalë do të diskutohen zyrtarisht në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s javën e ardhshme.

Në lajm vihet në dukje se qendra e komandës në Gjermani do të ndërtohet në rajonin në qytetet e Këlnit dhe Bonit dhe se nuk do të integrohet në strukturën ekzistuese të komandës së NATO-s. Theksohet se qendra e re do të ofrojë mundësinë e kryerjes së operacioneve dhe stërvitjeve kombëtare edhe jashtë vendeve të aleancës.

Gjithashtu në lajm thuhet se NATO e kritikon Rusinë për ndjekjen e një politike agresive dhe për këtë arsye ka plane të reja, ndërsa qendra e dytë komanduese që do të ndërtohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka për qëllim sigurimin e rrugëve detare midis Amerikës së Veriut dhe Evropës dhe hapësirës ajrore mbi Oqeanin Atlantik.

Pas periudhës së Luftës së Ftohtë, nga dhjetëra qendra komanduese të NATO-s në ditët e sotme kanë mbetur vetëm 7 dhe numri i personelit është zvogëluar nga 20 mijë në më pak se 10 mijë, dhe se situata aktuale është rivlerësuar në dritën e zhvillimeve në Evropën Lindore, ku është vendosur që të rritet përsëri fuqia ushtarake, thuhet ndër të tjera në lajm.

Theksohet se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është shprehur se “Ne kemi nevojë për një strukturë komanduese që do të sigurojë që trupat e duhura të jenë në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe me pajisjet e duhura”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *