A mund të na thoni disa fjalë rreth xhinëve?

Pyetje: Selamualejkum hoxh i nderuar. Cfar jane xhinet pak historine e tyre nese ka mundesi.

Përgjigje: Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla i dashur, sa u përket xhinëve dhe jetës së tyre, do të përmendim disa pika shkurtimisht:
-Xhinët janë të krijuar prej zjarrit dhe para njerëzve. Thotë Allahu (azzevexhel): “Ne krijuam njeriun nga balta e argjilit, të zi e të prishur (me erë të keqe). E xhinët i krijuam më parë nga zjarri, nga flaka e fortë”. (Hixhr – 26/27)
-Xhinët sikurse njerëzit, janë të krijuar për ta adhuruar vetëm Allahun. Thotë Allahu (azzevexhel): “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë”. (Dharijat – 56)

-Prej xhinëve sikurse prej njerëzve, ka të mirë dhe të këqinj, besimtarë dhe jobesimtarë. Thotë Allahu (azzevexhel) kur flet për xhinët: “Është e vërtetë se prej nexh ka të mirë, por ka edhe jo aq të mirë, sepse ne kemi qenë në drejtime të ndryshme”. (El Xhinn – 11) Dhe thotë: “Është e vërtetë se prej nesh ka besimtarë, dhe prej nesh ka që janë jasht rrugës (jobesimtarë), e kush pranoi Islamin, të tillët mësyjnë rrugën e shpëtimit. Ndërsa ata që lëshuan rrugën, ata u bënë lëndë e xhehenemit”. (El Xhinn – 14/15)
-Xhinët sikurse njerëzit, martohen, shtohen dhe kanë pasardhës. Thotë Allahu (azzevexhel): “Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë (Iblisin) dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj? Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve”. (Kehf – 50)

-Xhinët jetojnë në tokë dhe na shohin neve, por ne nuk kemi mundësi t’i shohim ata. Thotë Allahu (azzevexhel) kur flet për Iblisin dhe shoqërinë e tij: “Vërtetë ai dhe shoqëria e tij ju shohin juve, ndërsa ju nuk i shihni ata”. (A’raf – 27)
-Xhinët banojnë nëpër vende të papastërta dhe të fëlliqura. Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Vërtetë vendet që në to kryhet nevoja, janë vende ku qëndrojnë xhinët, e nëse hyn dikush në to, le të thotë: Eudhu bilahi minel hubthi vel habaith – Kërkoj mbrojtje nga Allahu prej të fëlliqurve (xhinëve meshkuj) dhe të fëlliqurave (xhinëve femra)”. (Transmeton Ebu Davudi, dhe Shejh Albani këtë hadith e cilëson si të vërtetë)
-Dhe xhinët sikurse njerëzit, përfundojnë dhe vdesin. Thotë Allahu (azzevexhel): “Çdo gjë që është në të (në tokë) është e zhdukur”. (Rahman – 26)

Për më shumë, lexo librin e përkthyer: “Bota e xhinëve dhe shejtanëve”, të autorit: Omer Sulejman El-Eshkar.

Allahu e di më së miri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *