Merr 600 mijë franga të ndihmave sociale dhe predikon kundër ….

Abu Ramadan, një imam 64 vjeçar, ka ardhur në Zvicër si refugjat, para rreth njëzet vitesh nga Libia. Gjatë gjithë kësaj kohe ai nuk ka punuar asnjëherë, nëse përjashtojmë predikimet që herë pas here i ka mbajtur në xhaminë “Ar`Rrahman” në Biel/Bienne. Dhe, këto predikime janë shembuj shkollorë të propagandimit të urrejtjes ndaj atyre që ai i quan “te pafe”. “O Zot, shkatërroi hebrenjtë, të krishterët, hindusët dhe shiitët”,  thotë veç tjerash imami, siç mund të dëgjohet në një incizim tonik, të emetuar në emisionin “Rundschau” të  SRF.

Kjo e fundit, krahas gazetës Tages Anzeiger ka prezantuar rastin eklatant të abuzimit me sistemin social të Zvicrës nga ana e një personi të vetëquajtur imam. Ai nuk ka mbaruar studimet dhe së këndejmi nuk i takon titulli imam, thuhet në emision, por kjo duket se nuk e pengon askënd në rrethin ku ai ka frekuentuar, transmeton albinfo.ch Në të kundërtën, Abu Ramadan mban kontakte të mira me kreun e IZSR (organizatës islamike të njohur për ekstremizmin e saj), Nicolas Blancho.

Imami i përmendur ka ardhur në vitin 1998 në Zvicër, si i përndjekur nga regjimi i Gadafit, në Libi. Ai sot ka një leje të përhershme qëndrimi (Vizë C) por nuk e flet gjermanishten as frëngjishten. Për 13 vite ai ka jetuar tërësisht i varur nga ndihmat sociale, duke përfituar kështu afër 600 mijë franga nga shteti. Prej disa muajsh ai jeton nga fondi i pensionit të trashëgimisë dhe moshës (AHV) dhe nga ndihmat suplementare.

Ai nuk ka pranuar të deklarohet para mediave lidhur me atë për çfarë ngarkohet. Ndërsa avokati i tij thotë se Abu Ramadan e konsideron veten si zviceran edhe pse nuk posedon pasaportë zvicerane, përcjell albinfo.ch. Ai e do Zvicrën ashtu sikurse atdheun e vet, Libinë. “Dashuria, toleranca dhe zemërgjerësia janë pikat e orientimit tim në marrëdhëniet me myslimanët dhe jo myslimanët”.

Por si ka qenë e mundur që një predikues i tillë i urrejtjes të jetojë për kaq vite nga ndihmat e shtetit? Kreu i Shërbimit social të Nidau-t (Biel/Bienne), Christian Hauri shprehet i tronditur nga gjetjet e “Rundschau” dhe “Tages Anzeiger”. Por ai arsyetohet me fjalët: “Ne nuk jemi mbrojtja e shtetit dhe nuk kemi mjete për t`i përcjellë klientët tanë”.

Nga ana tjetër, Abu Ramadan është megjithatë mjaft aktiv si hoxhë. Ai prezantohet në xhamitë e Bielit dhe të Neuchatelit ndërsa si imam predikon edhe në televizionin libian “Tanasuh-tv”, një propagandues islamik, transmetion albinfo.ch. Po ashtu ai bën përcjelljen e haxhinjve si ekspert fetar përmes agjencisë myslimane të udhëtimeve Arabian Excellence AETS në Gjenevë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *